Mbrojtja e të dhënave personale dhe Koronavirusi

Duke pasur parasysh situatën e krijuar me shfaqjen e koronavirusit COVID-19, Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Republikës së Maqedonisë së Veriut publikon disa rekomandime se si të veprohet në rrethana të tilla specifike, në përputhje me Ligjin e ri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Masat për parandalimin e koronavirusit që i aplikojnë institucionet shtetërore, ndërmarrjet private dhe organizatat mund të përfshijnë edhe përpunimin e të dhënave personale siç janë emri, adresa, puna, të dhënat e udhëtimit, përfshirë këtu edhe kategoritë specifike të të dhënave personale siç janë të dhënat personale për shëndetin e individëve.

Duhet të theksohet se Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale në asnjë mënyrë nuk është pengesë për zbatimin e masave për mbrojtjen e shëndetit publik, por megjithatë duhet të merren parasysh rekomandimet e mëposhtme:

Baza ligjore e përpunimit të të dhënave personale

Kur kontrolluesit zbatojnë vendimet dhe masat për parandalimin e koronavirusit të miratuara në pajtim me ligjin, relevant është neni 10 paragrafi 1 alineja 5 dhe neni 13 paragrafi 2 alineja 9 i Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale janë relevante.

Në këtë kontekst, konsiderohet i ligjshëm përpunimi i të dhënave personale të kryera për çështje me interes publik në fushën e shëndetit publik, siç janë mbrojtja kundër kërcënimeve serioze ndërkufitare për shëndetin, në të cilat janë të parashikuara edhe masa për mbrojtjen e të drejtave të subjekteve të të dhënave personale, veçanërisht mbrojtja e sekreteve të biznesit.

Gjithashtu përpunimi i të dhënave shëndetësore të individëve është i lejuar edhe kur personi fizikisht ose ligjërisht nuk është i aftë të japë pëlqimin e tij, veçanërisht kur bëhet fjalë për raste urgjente, me qëllim mbrojtjen e interesave të tyre thelbësore dhe jetësore.

Transparenca

Kontrolluesit duhet të sigurojnë informacion të qartë, të kuptueshëm dhe lehtësisht të arritshëm për masat që marrin, si dhe qëllimet për mbledhjen e të dhënave personale dhe për sa kohë të njejtat do të ruhen.

Konfidencialiteti/siguria e të dhënave

Duhet te sigurohet siguri dhe konfidencialitet të të dhënave, veçanërisht kur bëhet fjalë për të dhënat shëndetësore të individëve.

Është e rëndësishme të theksohet se identiteti i personave të prekur nga koronavirusi nuk duhet t'u zbulohet palëve të treta pa pasur arsyetim të qartë për një trajtim të tillë.

Volumi minimal i të dhënave

Duhet të përpunohet volum minimal i të dhënave që janë të nevojshme për zbatimin e masave për të parandaluar dhe penguar përhapjen e koronavirusit.

Llogaridhënia

Kontrolluesit duhet t`i dokumentojnë vendimet për zbatimin e masave për koronavirusin që përfshijnë përpunimin e të dhënave personale.

DISA PYETJE DHE PËRGJIGJE TË RËNDËSISHME:

A mund të kërkohet informacion nga punëtorët dhe vizitorët në objektet se ku kanë udhëtuar, veçanërisht në vendet e prekura nga virusi, si dhe për praninë e simptomave të gripit, temperatura të larta trupore, etj.?

Punëdhënësit kanë detyrim ligjor të mbrojnë shëndetin e punëtorëve kështu qe është e arsyeshme në rrethana të tilla specifike të mblidhen të dhëna personale për këtë qëllim.

Për përdorimin e masave edhe më të rrepta, siç është dërgimi e një pyetësori për punëtorët dhe vizitorët që duhet të plotësohet me këto të dhëna, duhet të ketë një arsyetim serioz dhe vetëm nëse është e domosdoshme, proporcionale dhe e bazuar në vlerësimin e rrezikut.

A mund të kërkojnë punëdhënësit detaje specifike për shëndetin të punëtorëve ose raporte mjekësore në lidhje me situatën konkrete me paraqitjen e koronavirusit?

Punëdhënësit mund të kërkojnë nga punëtorët informacion nëse ata janë diagnostikuar me koronavirus në mënyrë që të ndërmerren veprime adekuate.

Megjithatë, çdo e dhënë shëndetësore e mbledhur dhe përpunuar duhet të jetë e justifikuar dhe e kufizuar në atë që është e domosdoshme për të arritur qëllimin e zbatimit të masave të sigurisë dhe shëndetit.

Pas udhëzimeve të autoriteteve dhe organeve shëndetësore publike, të dhënat personale mund të zbulohen për shkak të interesit publik, me qëllim mbrojtjen nga kërcënimi serioz për shëndetin publik.

A mund të zbulojë punëdhënësi se njëri nga punëtorët ka virus punëtorëtve tjerë?

Kjo në përgjithësi duhet të shmanget në interes të konfidencialitetit të të dhënave personale të punëtorit.

Për shembull, punëdhënësi mund t`i informojë punëtoret se ekziston dyshim se ka një rast me infeksion koronavirus në organizatë dhe kërkon nga punëtorët të punojnë nga shtëpia, kështu që personi i prekur nga virusi nuk do te potencohet. Sidoqoftë, zbulimi i informacioneve te tilla tek autoritetet e shëndetit publik mund të jetë i nevojshëm për të kryer më tej funksionet e tyre.